Ndahen Baras

e hënë, 11 qershor 2012











Një tjetër përballje gjigantësh është zhvilluar si pjesë e fazës grupore të Kampionatit Evropian. Franca dhe Anglia janë ndarë baras, 1-1, në ndeshjen e vlefshme për Grupin D.
Për nga dinamika dhe bukuria e lojës, ky takim nuk i ngjau aspak atij ndërmjet Spanjës dhe Italisë, meqë lojtarët dukeshin më të rezervuar në ndërtimin e aksioneve.




Pas një gjuajtjeje të lirë të ekzekutuar nga Steven Gerrard, Joleon Lescott doli më i fortë se markuesi i tij dhe me kokë e mposhti portierin Lloris (30’).

Pas golit të pranuar, francezët vazhduan presionin dhe arritën ta shënonin golin e merituar.

Samir Nasri pranoi një top nga Franck Ribery dhe nga distanca e la të pashpresë portierin Hart për ta nivelizuar ndeshjen (39’).



Gjysma e dytë e takimit nuk ishte aq atraktive për sy, megjithatë me afrimin e minutave të fundit skuadrat filluan ta kërkonin golin e fitores.

Les Bleus ishin skuadër më e mirë në këtë periudhë të lojës pasi kishin më shumë iniciativë dhe shfaqnin rrezik, mirëpo nuk munguan edhe kundërsulmet e Tre Luanëve.

Sido që të jetë, deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk u shënuan gola të tjerë. Franca dhe Anglia ndahen me nga një pikë, ndërsa në Grupin D bëjnë gara edhe Suedia dhe Ukraina.

 
Lajme Sportive Nga Vendi Dhe Bota © 2011 | Designed by RumahDijual, in collaboration with Online Casino, Uncharted 3 and MW3 Forum