Portugalia ka rinisur stërvitjen të dielën mes kënaqësisë për punën e mirë që bëri ndaj Gjermanisë, pakënaqësisë për mosmarrjen e të paktën një pike dhe shqetësimit për mungesën e golit nga ana e sulmuesve.
Ylli Cristiano Ronaldo, pas humbjes 1-0 në duelin e tyre të parë në kuadër të Grupit B në Euro 2012, u shpreh i kënaqur me lojën, por insistoi se disfata nuk ishte e merituar duke pasur parasysh rastet e shumta për shënim që shpërdoruan.
“Duhet të përmirësojmë finalizimin. Po luajmë mirë, por duhet të korrigjohemi para porte. Nuk kemi fat dhe fati është i nevojshëm në të tilla gara. Neve nuk po na buzëqesh”, tha futbollisti kryesor i Portugalisë.
Fjalët e kapitenit portugez u mbështetën edhe nga ish-kapiteni i përfaqësueses, Luis Figo. Ish mesfushori lavdëroi paraqitjen e Portugalisë kundër Gjermanisë, por bëri thirrje për asistencë më të madhe për Ronaldon, i cili edhe pse nuk luan në pozitën e qendërsulmuesit, vazhdon të jetë kërcënimi kryesor për ekipet kundërshtare.
“Luajtëm mirë në mbrojtje për 70 minuta dhe luajtëm mirë në sulm për 15 minuta, por nuk ishim efektivë. Humbëm një ndeshje, rezultati i drejtë i së cilës do të ishte barazimi. E kemi ende në dorë fatin tonë, por nuk duhet të gabojmë më. Skuadra duhet të asistojë më tepër për Ronaldon, duket t’i ndihmojë atij”, tha Figo.
Portugalia nuk ka shënuar në tri nga katër ndeshjet e fundit që ka zhvilluar: dy barazime 0-0 ndaj Polonisë e Maqedonisë dhe humbja 1-0 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e parë të grupit B në EURO 2012.
Tre sulmuesit e grumbulluar nga Paulo Bento kanë këto statistika: Helder Postiga ka shënuar 12 gola në 36 ndeshje me kombëtaren; Hugo Almeida 19 gola në 46 ndeshje dhe Nelson i Benfica ende nuk ka shënuar asnjë gol.