Samir Ujkani po kalon një moment të shkëlqyer te Novara, edhe pse kjo nuk korrespondon me paraqitjet që po bën skuadra e tij në Serinë A. “Po, jemi në një moment të vështirë. Megjithatë, shpresa vdes e fundit dhe ne nuk do të dorëzohemi derisa matematika të na e lejojë”, ka thënë portieri i Kombëtares shqiptare. Në fundjavë, ai do të përballet me Erjon Bogdanin, që me shumë gjasë do të jetë titullar pas dëmtimit të Kalaios. “Bogdanin e dua si vëlla, sepse është njeri i shkëlqyer, por shpresoj shumë që në këtë ndeshje të mos jetë në formë. Kur ai është në formë, është vërtet i frikshëm”, ka thënë portieri për “Panorama Sport”.
Samir, jeni futur në formacionin
e javës në Serinë A. Ndërkohë javën e kaluar pritët sërish penallti. A është ky kulmi juaj?
Nuk e di nëse është kulmi. Unë di të them se jam në një formë të mirë, por mund të jap shumë më tepër se kaq.
Trajneri i Kombëtares, De Biazi, pas ndeshjes me Gjeorgjinë ju pagëzoi me nofkën “Santo Samir” (Samiri i shenjtë). Si u ndjetë kur e dëgjuat?
(Befasohet)… Ky nuk është ndonjë rreng gazetaresk, apo jo?
Absolutisht jo, e ka thënë para shumë kamerave!
OK, dakord, ky është komplimenti më i bukur që kam marrë në karrierën time. Nuk e di, kjo më emocionon shumë. Shpresoj të mos e zhgënjej trajnerin dhe shpresoj gjithashtu që të mos duhet të pres dy penallti në një ndeshje.
Këtë javë do të ndesheni me Sienën dhe Bogdani me shumë gjasë do jetë titullar…
Po, edhe unë ashtu mendoj, Erjoni do jetë titullar.
A ju shqetëson kjo?
Po, shumë madje. Erjoni po kalon një moment të shkëlqyer dhe, kur ai është në formë, është vërtet i frikshëm. Më besoni, vetëm njerëzit që punojnë me të, e dinë se çfarë potenciali ka kur është në formën e duhur. Nuk përmbahet, ju siguroj.
Në fakt ai ka shënuar gol në tri ndeshjet e fundit. Si do ia bëni?
Bogdanin e dua si vëlla, sepse është njeri i jashtëzakonshëm dhe mua më ka ndihmuar shumë në çdo rast, por shpresoj shumë që të shtunën të mos jetë në formë. Pas kësaj ndeshjeje le të shënojë sa më shumë gola, por jo të shtunën. Nëse ai nuk shënon, kam bindjen se Siena nuk ka për të fituar.
Bogdani i ka festuar tre golat e fundit duke futur gishtin në gojë (dedikim për të birin), por ka thënë se po ju shënoi juve, do festojë me këngën e famshme “Ai se eu te pego”….
(Qesh me të madhe)… Dakord, nëse unë do e ndal atë dhe Sienën e tij, premtoj se do festoj me valle shqiptare në mesin e fushës. Më pëlqen më shumë vallja shqiptare.
Nëse Novara nuk ia del në Serinë A, do të qëndroni apo do të largoheni?
Unë nuk po mendoj për këtë gjë për momentin. Unë po mendoj vetëm për Novarën dhe do luftoj që ta shpëtoj atë, por nëse nuk do t’ia dalim, atëherë do të shoh me kujdes çdo opsion që do të kem në të ardhmen time.
