Faqet

e mërkurë, 21 mars 2012

Katër skuadra të Superligës dështuan në 1/8 e finales së Kupës















Rrethi i 1/8 së finales në Kupën e Kosovës në futboll ka sjellë shumë befasi. Madje katër skuadra të Raiffeisen Superligës janë përshëndetur nga garat e mëtejme dhe atë në duel me skuadrat e Ligës së Parë. Ferizaj ka arritur t’i gëzohet kualifikimit në çerekfinale në Gjakovë, duke e mposhtur Vëllaznimin pas penalltive, 6:5, ngase ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve ka përfunduar 2:2. Penalltitë nuk kanë qenë me fat as për skuadrën tjetër të elitës,
Dritën, e cila është eliminuar nga Istogu, me të njëjtin rezultat, pasi ndeshja pas 120 minutash lojë është mbyllur 2:2. Ndërkohë, Ramiz Sadiku u tregua më i suksesshëm se Lepenci, duke e mundur me shifrat 4:2. Kalimit në çerekfinale nga skuadrat e Ligës së Parë iu gëzua edhe Feronikeli, që e mposhti Lirinë në Prizren, me rezultat 2:1. Shumë afër kalimit në çerekfinale ishte edhe Hajvalia, pasi në kohën e rregullt ndeshjen kundër KEK-ut në Kastriot e mbylli 3:3, por në vazhdime pësoi humbje 5:4. Me mjaft vështirësi këtë rreth të garave e kaluan edhe dy kandidatet më serioze për titullin e kampionit, Prishtina dhe Trepça’89. Bardhekaltrit fituan në Fushë Kosovë, 1:0, derisa “minatorët” iu gëzuan fitores në Therandë në duel me Ballkanin, 2:1. Ndërkaq, fitoren më bindëse e realizoi kampioni në fuqi, Hysi, duke e mposhtur Vitinë, me rezultat 5:1.

Rezultatet - 1/8 e finales së Kupës së Kosovës
Hysi-Vitia                                      5:1
Liria-Feronikeli                             1:2
Ballkani-Trepça’89                       1:2
Ramiz Sadiku-Lepenci                4:2
Fushë Kosova-Prishtina              0:1
KEK-u-Hajvalia                            3:3, pas vazhdimeve 5:4
Vëllaznimi-Ferizaj                        2:2, pas penalltive 5:6
Istogu-Drita                                   2:2, pas penalltive 6:5