Menaxheri i Benficas, Jorge Jesus, është i zemëruar me fatin e skuadrës së tij pas disfatës 1-0 në ndeshjen e mbrëmshme çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Chelseat.
“Ishte një ndeshje e mirë, siç pritej. Chelsea është një skuadër e fuqishme me shumë përvojë në garat evropiane”, ka thënë portugezi në konferencën për shtyp.
“Ne dominuam për po thuajse gjithë ndeshjen dhe krijuam më shumë mundësi shënimi, por fati nuk ishte në anën tonë”.
“Ne ishim më të pjekur, luajtëm mirë dhe nuk i lejuam Chelseat të krijojë shumë. Nuk mendoj se merituam të mposhtemi sonte. Por ka edhe një ndeshje për t’u luajtur dhe mendojmë se kemi kualitete për të shënuar në Londër”, ka shtuar me tej Jesus.
Ndeshja e kthimit mes dy skuadrave do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme (4 prill) në Stamford Bridge.