Mediat serbe: Serbia bind FIFA-n për Kosovën

e premte, 1 qershor 2012

Kosova nuk do të mund të luajë miqësore me përfaqësueset ndërkombëtare dhe as nuk do të njihet nga UEFA apo FIFA në një të ardhme të afërme – ky ishte vendimi i përbashkët i arritur pas një takimi nga krerët e UEFA-s, FIFA-s dhe Federatës Serbe të Futbollit (FSS).
 

Kështu raportojnë mediat serbe, të cilat besojnë se takimi i mbajtur ditë më parë është një fitore e radhës në përpjekje për të penguar ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Kujtojmë se FIFA kishe marrë vendimin që Kosovës t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore me përfaqësueset ndërkombëtare, ndërsa në diskutim këtë vendim e kishte vënë presidenti i UEFA-s, Michel Platini, një pro-serb i njohur, tek i cili kishte bërë presion FSS-ja.
“Edhe njëherë kemi gjetur pritje të ngrohtë dhe mirëkuptim nga preidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ashtu si nga pjesëmarrësit tjerë në këtë takim. Unë mund të shpreh kënaqësinë me akordin që arritëm”, ka theksuar kreu i FFS-së, Tomislav Karadzic.

Sidoqoftë, përderisa Serbisë i është garantuar se Kosova nuk do të pranohet në të ardhmen e afërt në UEFA dhe FIFA, kjo gjë duket se nuk ka ndodhur për miqësoret, vendimi definitiv për të cilin pritet të mirret në një takim më 29 qershor.
Një gjë është e sigurtë – Kosovës sipas të gjitha gjasave do t’i lejohet zhvillimi i miqësoreve nën kushte të caktuara, por fakti se në gjithë këtë katrahurë nuk ka kurrfarë ndikimi Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ashtu sikurse ndikimi i madh i Serbisë në UEFA dhe FIFA, janë dy faktorë brengosës për të ardhmen e sportit shqiptaro-kosovar.

 
Lajme Sportive Nga Vendi Dhe Bota © 2011 | Designed by RumahDijual, in collaboration with Online Casino, Uncharted 3 and MW3 Forum