BKT Superliga, sonte derbi Prishtina-Trepça

e shtunë, 7 prill 2012

Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi insiston se skuadra e tij garat e plejofit do t'i nisë nga pozita e parë në tabelë. Mirëpo, për ta arritur këtë Prishtinës i nevojitet fitorja kundër skuadrës së Trepçës, në ndeshjen që luhet sonte nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. 



Takimi i takon javës së 25-të të BKT Superligës dhe pritet të vendosë se cila prej këtyre dy skuadrave në plejof do të futet nga pozita e parë. Pozita e parë krijon favore në serinë finale.  

Aktualisht pozitën e parë e mban Trepça me 46 pikë, një më shumë se Prishtina që renditet e dyta. Në rast të fitores së Prishtinës, skuadrat barazohen me pikë, por Prishtina në fund do të renditet e para, për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella. Prishtina deri më tani ka dy fitore e një humbje me Trepçën. Në rast të fitores së Trepçës, skuadra mitrovicase bën dy pikë më shumë se kampionia në fuqi dhe siguron pozitën e parë. 

Deri në fund të kampionatit të rregullt, Prishtina e Trepça kanë edhe nga një përballje të fortë. Prishtina i shkon Bashkimit, kurse Trepça e pret Pejën. Megjithatë, ato ndeshje nuk pritet të ndikojnë në renditjen finale. 

"Pres ta japim maksimumin dhe normalisht ta fitojmë ndeshjen. Nuk do të jetë aspak lehtë, por ne kemi ekip më të mirë se Trepça dhe mund t'ia dalim. Këtë edicion i kemi mposhtur dy herë dhe kemi vetëm një humbje nga ta", tha Azemi për Kohën Ditore të premten. "Kjo ndeshje vendos se cila skuadër do të jetë lider dhe në plejof do të ketë përparësi. Duam ta sigurojmë vendin e parë dhe jam i bindur se do të fitojmë ani pse synimet me Trepçën i kemi të njëjta". 

Ndërkohë trajneri i Trepçës, Ilir Selmani, thotë se e ka parasysh rëndësinë e duelit me Prishtinën. Ai thotë se ekipi është përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe shpreson që Trepça të vazhdojë serinë pozitive si mysafir.

 
Lajme Sportive Nga Vendi Dhe Bota © 2011 | Designed by RumahDijual, in collaboration with Online Casino, Uncharted 3 and MW3 Forum