Manchester City e ka konfirmuar edhe njëherë seriozitetin në luftën për titull të kampionit në Ligën Premier, me fitoren e jashtëzakonshme të realizuar në Ettihad Stadium, ku ‘qytetarët’ kanë arritur të rikthejnë disavantazhin për të fituar në fund të takimit me rezultat 2-1.
Sfida para fillimit u përshkrua si vendimtare për titull dhe ashtu si karakteri, e tillë ishte edhe loja e zhvilluar.
Vendasit e dominuan pjesën e parë. Samir Nasri qëlloi madje edhe transverzalen, por nuk arriti ta gjente dot golin.
Në pjesën e dytë gjithiçka ndryshoi. Të parët që gjetën golin ishin mysafirët. Pas një harkimi në zonë të Juan Matas, ishte Garry Cahill ai që shënoi për 1-0 dhe epërsinë e Chelseat (60’).
Në vazhdim të takimit vendasit dominojnë tërësisht sfidën dhe arrijnë të fitojnë një penalti të cilën me sukses e konkretizoi Aguero (78’).
Në lojë në vazhdim shfaqet vendimtar Carlos Tevez, i cili me një asistim ndihmoi Samir Nasrin të shënojë për 2-1 (85’) dhe fitoren e madhe të Manchester Cityt
Me këtë fitore, të 15-ën në shtëpi, Manchester City ka 69 pikë, një pikë më pak se sa lideri Manchester United.
